ATSH/ Erion Braçe ka bërë sot një reagim të fortë në lidhje me zjarrin e rënë mbrëmjen e djeshme në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

“Kur të gjithë po flinin; 22 burra luftonin me zjarrin në “mesin e Kanaleve” brenda në parkun Divjakë-Karavasta. Fituan edhe këtë herë. Në orët e para të mëngjesit, zjarri u shua”, tha Braçe.

Gjithashtu në lidhje me këtë aksion të kryer mbrëmjen e djeshme në orët e vona, Braçe nuk ka lënë pa përmendur edhe personat të cilët dhanë këtë kontribut kaq të madh, për të ruajtur parkun nga pushtimi i flakëve.

“Pafund mirënjohës burrave të Parkut; Fotit, Alltunit, Astritit, Dorit, Edit, Eltonit, Gramozit, Llazit, Festimit. Pafund mirënjohës burrave zjarrfikës të Divjakës; Sajmirit, Florit, Gezimit, Aurelit, Eltonit, Julit, Gazit, Fatjonit, Kelit, Marjos, Dorit, Renatos, Erjonit.”

Sipas tij, zjarri i rënë në brendësi të parkut ka shkaktuar dëme.

“Sipërfaqja e djegur 1 ha, nga kjo sipërfaqe: janë djegur 30 pisha në masën 30 – 40 %,  janë djegur bimësi e egër gati 30 %, pjesa më madhe janë djegur shkurre dhe zhuka”, bën të ditur Braçe.

Zv.kryeministri thekson se “zjarri ka rënë në një zonë që është lëshuar me kontratë tek një shoqëri që as është në gjendje ta mbrojë, as është në gjendje të ndërhyjë dhe as ka mjete për t’ju përgjigjur një rreziku kaq të madh që shumëfishohet dhe rrezikon gjithë parkun. Do kërkoj me forcë që kjo kontratë të prishet nisur nga kjo ngjarje dhe mungesa totale e përgjegjshmërisë së kësaj shoqërie”.

Gjithashtu, ai shprehet se “në atë zonë përditë shfaqen peshkatarë të kësaj shoqërie e jo vetëm; dje paradite gjithashtu. Por dje janë dëgjuar edhe të shtëna çiftesh nga një grup palaçosh që quajnë veten gjuetarë e që ju duket vetja të mbrojtur politikisht.  I kërkoj me forcë policisë të hetojë dy grupet, peshkatarët dhe këta palaçot me çifte, sot dhe nëse janë përgjegjës të përgjigjen deri më një”.