ATSH/ -Zyra Rajonale e FSHF-së Elbasan ka bërë një analizë lidhur me objektivat që ishin vendosur për edicionin që lamë pas dhe punës së bërë në të gjitha kategoritë e moshave. Për t’u veçuar fakti se në këtë edicion, risi ka qenë hapja e ekipeve të reja për femra, për grupmoshat U-9, U-11 dhe U-13.
Përgjegjësi i kësaj zyre, Ilirjan File, në një intervistë për fshf.org, konfirmon se ka pasur rritje të numrit të skuadrave gjatë këtij viti, duke filluar nga grupmoshat më të vogla e deri te të rinjtë, por nga ana tjetër shpreh edhe shqetësimet e hasura gjatë këtij sezoni.
Synimet për edicionin e ardhshëm janë të qarta, shtim i numrit të ekipeve pjesëmarrëse si dhe masivizimi i futbollit te grupet e vogla.
Ai shprehet se, “risia më e madhe e këtij sezoni që lamë pas kanë qenë ekipet e femrave për grupmoshat U-9, U-11 dhe U-13, ku ka pasur nga një ekip femrash, për çdo grupmoshë. Njëkohësisht, duke qenë se ishim në një vit të vështirë, për shkak të pandemisë së COVID-19, ia dolëm që të mbyllnim pa probleme kampionatet e të gjitha grupmoshave, duke respektuar edhe masat në këtë aspekt”.
Ndër problematikat kryesore të këtij edicioni ai thekson se, “problem në fakt vazhdojnë e mbeten terrenet sportive, sidomos në periudhën e dimrit, për shkak të shirave. Mungesa e fushave me bar sintetik na ka privuar në disa ndeshje. Për fat të mirë, ne i mbyllëm të gjitha kampionatet e planifikuara, por disa skuadra kanë hasur vështirësi përsa i përket lëvizjes”.
“Mendoj se në tërësi objektivat që i kishim vënë vetes në fillim të edicionit u arritën. Numri i ekipeve ka qenë i kënaqshëm dhe ka pasur rritje, duke filluar nga grupmoshat më të vogla dhe deri tek të rinjtë”, shprehet ai.
Për synimet në edicionin e ardhshëm, File thekson se, “si synim kryesor kemi rritjen e numrit të ekipeve pjesëmarrëse në aktivitet, ku në fokusin kryesor është edhe ai i femrave. Kemi bërë një hap pozitiv sezonin që sapo lamë pas, por synojmë të dyfishojmë ekipet pjesëmarrëse sa i përket futbollit të femrave”.
“Përpos tyre, rëndësi po i kushtojmë masivizimit të futbollit tek grupmoshat e vogla, aty nga edhe ku lindin talentet e së ardhmes, e ndërthurur kjo me trajnerë të kualifikuar. Do të lobojmë edhe nëpër shkolla në afrimin e fëmijëve të vegjël që duan të hyjnë në rrugën e bukur të futbollit. Synojmë gjithashtu edhe një masivizim më të madh tek futbolli 5×5, duke qenë se bëhet fjalë për një disiplinë që preferohet shumë dhe që ka një masivizim në qytetin e Elbasanit”, përfundon ai.