ATSH/ Rrugët janë arteriet e zhvillimit ekonomik dhe qeveria shqiptare ka rritur nga viti në vit fondet për ndërtimin e tyre dhe kompletimin me sinjalistikë dhe masa sigurie të standardeve europiane.

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një pyetje ndjekësve të tij në instastory në rrjetin social Instagram, në rubrikën “100 ditë, 100 arritje” se sa projekte rrugësh të lëna rrugëve u përfunduan këto vite, 26 apo 46.

“46 projekte rrugësh nisur e lënë rrugëve prej borxheve deri në 2013 u financuan në shumën prej 13.5 miliardë lekësh dhe u përfunduan me standardet europiane”, shprehet Rama.

Në 2013 detyrimet e prapambetura arrinin shifrën 55 miliardë lekë, ku më shumë se një e treta e tyre i përkiste infrastrukturës rrugore. Ishin projekte të nisura të papaguara dhe të mbartura që në janar të 2014 shënonin 13.5 miliardë lekë detyrime të papaguara në infrastrukturën rrugore.

Qeveria Rama ka arritur që në fund të vitit 2019 të shënojë 0 detyrime të prapambetura shifër kjo që regjistrohet edhe në vitin 2020. Kjo do të thotë që të gjitha detyrimet ndaj kantiereve që ndërtojnë në sistemin e infrastrukturës të jenë 0.

Nga 2008 deri në 2013 ishin 7.54 miliardë lekë të shpenzuara për mirëmbajtjen ndërkohë që nga 2014 deri më sot, për këtë komponentë kemi dyfishin 14,3 miliardë lekë të shpenzuara për mirëmbajtjen.