ATSH – I. Vata/Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se ndihma juridike fals është një tjetër rezultat direkt i Reformës në Drejtësi ku nga janari-shtator 2147 qytetarë kanë marrë këshillim ligjor falas.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj duke pasqyruar shifrat zyrtare bën të ditur se, ” gjatë periudhës janar-shtator 891 qytetarë kanë marrë këshillim ligjor falas nga Qendra e Ndihmës Juridike kurse përmes portalit www.juristionline.al 984 kanë marrë këshillim ligjor falas, në numrin e gjelbër 184 qytetarë dhe 88 qytetarë kanë marrë ndihmë në sistemin e Drejtësisë”.
Në videon e publikuar nga ministrja Gjonaj bëhet e ditur se, “gjatë vitit 2020 qeveria shqiptare ka mbështetur financiarisht me 150 milionë lekë për ndihmën juridike falas ndaj qytetarëve. Në vitin 2019 mbështetja financiare për ndihmën juridike falas ka qenë 73 milionë lekë, në vitin 2018 ka qenë 15 milionë lekë dhe në 2013 ndihma financiare për këtë ndihmë ka qenë 33 milionë lekë”.
Gjithashtu në video bëhet e ditur se, “në gjithë vendin janë 7 qendra të shërbimit të ndihmës juridike parësore, 12 organizata jo fitimprurëse të autorizuara dhe 6 klinika ligjore pranë IAL-ve”.
Ndihma juridike nga shteti është një mekanizëm që ju vjen në ndihmë qytetarëve që nuk kanë mundësi financiare për të paguar tarifat ligjore pranë organeve apo gjykatave dhe njëkohësisht për të mundësuar këshillim ligjor ose mbrojtje ligjore.
Nëpërmjet garantimit të ndihmës juridike nga shteti Reforma në Drejtësi synon të rris aksesin në drejtësi të qytetarëve dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre.
Nga ndihma juridike falas përfitojnë viktimat e dhunës në familje, viktimat e abuzuar seksualisht, personat që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, viktimat e mitur, fëmijët të cilët jetojnë në institucione të përkujdesjes shoqërore, si dhe çdo qytetar që nuk ka mundësi ekonomike./a.a/