ATSH/ Skema Kombëtare adreson mbështetje të veçantë për fermerët dhe bizneset e agroturizmit që po rrisin interesin për të investuar në ferma organike dhe rritjen e prodhimit bujqësor bio, që është mjaft i kërkuar nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, buxheti shtesë prej 400 milionë lekë adresuar Skemës Kombëtare për këtë vit, ka rritur në 125 numrin fermerëve të  kualifikuar përfitues nga 98 fermerë të kualifikuar në fazën e parë, kundrejt 130 fermerëve që aplikuan për të përfituar financim, për zgjerimin e fermave organike.

Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.

Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore organike janë një vlerë e shtuar dhe fitimprurëse për zhvillimin rural në tërësi. e.xh/ /a.g/