/ATSH/- Tre persona kanë humbur jetën, si pasojë e asfiksisë gjatë festimeve masive për Kupën e Botës dje në mbrëmje në Meksiko Siti, njoftuan sot autoritetet shëndetësore të kryeqytetit meksikan, shkruan BBC.
Mes viktimave është një vajzë 19-vjeçare, si dhe një grua 48-vjeçare dhe një burrë 44-vjeçar.
Sipas autoriteteve, ata u rrëzuan pa ndjenja, në zona të ndryshme pas grumbullimeve të mëdha të tifozëve në rrugët e qytetit, pas fitores 2-0 të Meksikës ndaj Ekuadorit.
Më shumë se një milion persona dolën në rrugë, kryesisht pranë monumentit “Engjëlli i Pavarësisë” në qendër të qytetit, për të festuar fitoren e parë të Meksikës, në një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës, që nga viti 1986.
Shërbimet emergjente u dhanë ndihmën e parë dhe kryen reanimacion kardiopulmonar (CPR) për tre personat, përpara se ata të dërgoheshin me urgjencë në spital. Megjithatë, të tre u shpallën të vdekur nga asfiksia.
Kryetarja e bashkisë së Meksiko Siti, Clara Brugada shprehu ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe u bëri thirrje qytetarëve, që të festojnë gjithmonë me përgjegjësi dhe kujdes.
Autoritetet paralajmëruan më herët, për grumbullime të mëdha pranë monumentit “Engjëlli i Pavarësisë”, duke kërkuar që tifozët, të shmangnin zonën për shkak të mbingarkesës.
Fitorja e Meksikës shkaktoi festime të mëdha në stadiumin “Azteca” dhe në shumë zona të kryeqytetit, ku u panë edhe fishekzjarrë pas përfundimit të ndeshjes.
Sipas autoriteteve, më shumë se 20 milionë njerëz, jetojnë në zonën metropolitane të Meksiko Sitit, një nga rajonet më të dendura në botë.
Fitorja e djeshme, e kualifikon Meksikën në 1/8 e finales së Kupës së Botës, ku mund të përballet me Anglinë – nëse ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel fiton ndaj DR Kongos. //a.i/



























