ATSH/ Në 2 korrik 1878 u miratua Kanuni i Lidhjes së Prizrenit.
Ishte 10 qershori i vitit 1878 kur shqiptarët e mbledhur nga të katër vilajetet themeluan Lidhjen e Prizrenit, në kundërpërgjigje të vendimeve të marra nga Traktati i Shën Stefanit.
Në vijim të punimeve, më 17 qershor, miratuan një dekret që më tepër evokonte unitetin fetar se sa atë kombëtar. Kështu, lindi nevoja e miratimit të një kanuni që i jepte lidhjes të drejtën për të patur administratë, ushtri, buxhet dhe gjykata të veçanta.
Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878, ishte programi i fundit politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila përmes këtij akti u pajis me funksione shtetërore. Ky kanun përforconte kërkesat e Lidhjes ndaj Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha, për ruajtjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve si dhe për autonominë administrative të trojeve. /j.p/



























