ATSH/ Një pacient 52-vjeçar me hipertension arterial të pakontrolluar prej vitesh është trajtuar me sukses në spitalin rajonal të Shkodrës, pas diagnostikimit të stenozës kritike të arteries renale të majtë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se “stenoza e arteries renale përbën një nga shkaqet e rëndësishme të hipertensionit renovaskular dhe kërkon diagnostikim të specializuar, si edhe ndërhyrje të përshtatshme për rikthimin e qarkullimit normal të gjakut”.
Sipas MSHMS-së, pacienti iu nënshtrua një procedure të avancuar të angioplastikës endovaskulare, gjatë së cilës u vendos një stent i medikuar.
Ndërhyrja mundësoi rikthimin e qarkullimit të gjakut në arterien renale, duke krijuar kushte për kontroll më të mirë të tensionit arterial dhe përmirësim të cilësisë së jetës së pacientit.
Ndërhyrja u realizua në sajë të bashkëpunimit të shërbimit të hemodinamikës dhe kirurgjisë vaskulare në spitalin rajonal Shkodër, duke dëshmuar kapacitetet moderne dhe nivelin e lartë profesional të stafit mjekësor.
Në ekipin operator morën pjesë mjekët Gledis Zaimi, Besmir Grizhja dhe Aurel Demiraj, si edhe infermierët Afrim Bashi dhe Ermal Dibra.
Kjo ndërhyrje përbën një tjetër dëshmi të përkushtimit të stafit shëndetësor të spitalit rajonal Shkodër për ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe cilësore për pacientët.



























