ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik deklaroi ditën e sotme, se depresioni nuk shfaqet gjithmonë në forma të dukshme. Në shumë raste, vështirësitë emocionale mund të fshihen pas angazhimeve të përditshme, suksesit profesional apo një pamjeje të jashtme që duket normale për të tjerët.
Sipas ISHP-së, çrregullimi madhor depresiv dhe depresioni me funksionalitet të lartë ndryshojnë kryesisht në mënyrën se si shfaqen dhe sa të dukshme janë simptomat, dhe jo domosdoshmërisht në thellësinë e vuajtjes që përjeton personi.
Ndërsa, çrregullimi madhor depresiv mund të ndikojë më hapur në funksionimin e përditshëm, duke vështirësuar punën, marrëdhëniet sociale apo aktivitetet bazë, depresioni me funksionalitet të lartë shpesh mbetet i padukshëm.
“Personat që përballen me të mund të vazhdojnë rutinën e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të duken mirë në sytë e të tjerëve, ndërsa përjetojnë vështirësi të brendshme emocionale. Mosnjohja e këtyre formave të depresionit mund të sjellë vonesa në kërkimin e ndihmës, si dhe minimizimin e përvojës së personit që përballet me to”, thuhet në postimin e ISHP-së.
Pavarësisht mënyrës së shfaqjes, ISHP nënvizon se depresioni kërkon vëmendje, mbështetje dhe trajtim të përshtatshëm. Njohja e shenjave të para dhe konsultimi me profesionistë të shëndetit mendor mund të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e mirëqenies dhe cilësisë së jetës.
Sipas ISHP-së, ndërhyrja e hershme nuk lidhet vetëm me përballimin e simptomave, por edhe me rikthimin e ekuilibrit emocional, zhvillimin e potencialit personal dhe ndërtimin e një jete më të shëndetshme.
Në një kohë kur shëndeti mendor po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në politikat shëndetësore, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i paragjykimeve mbeten hapa të rëndësishëm për t’u siguruar njerëzve mbështetjen që u nevojitet.
/e.i/j.p/



























