TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi një pikë grumbullimi në Peqin, ku u njoh me aktivitetin e kësaj sipërmarrjeje dhe bashkëpunimin me fermerët e zonës.

Së bashku me kryetarin e bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, Salla pa nga afër punën e pikës së grumbullimit, e cila jo vetëm tregton prodhimet e fermës së saj, por bashkëpunon edhe me fermerë të tjerë të bashkisë, duke krijuar një zinxhir vlere për prodhimet bujqësore të zonës.

“Produktet Made in Albania nga kjo pikë grumbullimi eksportohen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, vendet e Ballkanit dhe më gjerë në tregun europian”, tha Salla.

Sipas tij, organizimi i fermerëve në shoqëri bashkëpunimi po krijon mundësi të reja për rritjen e prodhimit, garantimin e cilësisë dhe zgjerimin e tregjeve për produktet shqiptare.

Ministri Salla theksoi se skema e kompensimit në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes po kontribuon në formalizimin e sektorit, rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.

“Mbështetja ndaj fermerëve dhe lidhja e tyre me tregun janë hapa të rëndësishëm për zhvillimin e një bujqësie më të organizuar dhe më konkurruese”, u shpreh Salla.

/e.i/a.f/