ATSH-DPA/- Shkencëtarët kanë bërë të ditur se gushti i vitit 2026 ishte ndër muajt më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në botë, me temperaturën mesatare globale 1,65°C më të lartë se në periudhën para industrializimit.

Sipas shkencëtarëve të Shërbimit të Bashkimit Evropian për Ndryshimet Klimatike “Copernicus”, gushti u barazua me korrikun e vitit 2023, si muaji kalendarik më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Ai ishte gjithashtu gushti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë.

Evropa Perëndimore përjetoi verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, duke kaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2003.

Shkencëtarët thanë se valët e të nxehtit në gusht vazhduan një periudhë temperaturash jashtëzakonisht të larta që kishte nisur në maj.

Thatësira të rënda prekën Britaninë e Madhe, Francën, Hungarinë, Rumaninë dhe Serbinë.

Ndërkohë, disa prej lumenjve kryesorë të Evropës, nga Reni dhe Danubi deri te Dniepri, patën nivele jashtëzakonisht të ulëta të ujit.

Në shkallë globale, temperatura e gushtit ishte 1,65°C mbi mesataren e periudhës 1850–1900.

Kjo periudhë përdoret nga shkencëtarët si pikë krahasimi për periudhën para industrializimit, kur njerëzit ende nuk kishin filluar të digjnin në përmasa të mëdha qymyr, naftë dhe gaz.

Djegia e këtyre lëndëve çliron gazra serrë, të cilët mbajnë nxehtësinë në atmosferë dhe shkaktojnë rritjen e temperaturave globale.

Temperatura kalon sërish pragun 1,5°C

Shkencëtarët thanë se gushti shënoi rikthimin e temperaturave globale mbi pragun 1,5°C mbi nivelet paraindustriale.

Kjo ishte hera e parë që ky nivel u tejkalua që nga nëntori 2025.

Sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, të miratuar në vitin 2015, vendet e botës janë zotuar të përpiqen që rritja afatgjatë e temperaturës globale të mbahet nën 2°C, ndërsa synohet që të kufizohet në 1,5°C krahasuar me periudhën paraindustrializimit.

Ky kufizim synon të zvogëlojë rrezikun e thatësirave më të rënda, valëve të të nxehtit, përmbytjeve, rritjes së nivelit të detit dhe dëmtimit të rëndë të kafshëve dhe ekosistemeve.

Edhe temperaturat e deteve në nivel rekord

Gushti solli gjithashtu temperatura rekord në sipërfaqen e deteve.

Sipas shkencëtarëve, temperaturat e larta lidhen me ngrohjen globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve fosile, si dhe me ngrohjen e shpejtë të ujërave të Oqeanit Paqësor, e lidhur me fenomenin e fuqishëm klimatik “El Nino”.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së deteve, duke përjashtuar zonat polare, arriti në 21,07°C, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për muajin gusht.

Ky ishte gjithashtu niveli më i lartë i regjistruar për një muaj, i barabartë me rekordin e marsit të vitit 2024.

Samantha Burgess, përgjegjëse strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikimet Meteorologjike Afatmesme (ECMWF), tha se gushti 2026 ishte një muaj i jashtëzakonshëm në historinë e klimës.

Sipas saj, ai ishte gushti më i nxehtë dhe njëkohësisht muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, me temperaturat globale 1,65°C mbi nivelet paraindustriale.

Ajo theksoi se kombinimi i temperaturave rekord të deteve dhe verës më të nxehtë të regjistruar në Evropën Perëndimore tregon se ndryshimet klimatike po shkaktojnë fenomene gjithnjë e më ekstreme si në atmosferë, ashtu edhe në oqeane.

Shkencëtarët: Rekordet e temperaturave do të vazhdojnë

Gareth Redmond-King, drejtues i programit ndërkombëtar në Njësinë e Inteligjencës së Energjisë dhe Klimës, tha se shifrat e reja janë një tjetër “sinjal alarmi”, vetëm dy muaj para samitit të ardhshëm të OKB-së për klimën, COP31.

Sipas tij, zgjidhja është e njohur, vendet duhet të ulin me shpejtësi emetimet e gazrave serrë, me synimin për të arritur “zero emetime neto”.

Kjo do të thotë që sasia e gazrave serrë që çlirohet në atmosferë, duhet të jetë e barabartë me sasinë që hiqet ose absorbohet, në mënyrë që emetimet neto të arrijnë në zero.

Sipas shkencëtarëve, “El Nino” po kontribuon në rritjen e temperaturave, por shkaku kryesor mbetet djegia e vazhdueshme e qymyrit, naftës dhe gazit.

Ajo paralajmëroi se ndryshimet klimatike e bëjnë çdo periudhë të “El Ninos” edhe më të nxehtë dhe se, për sa kohë vazhdon djegia e këtyre lëndëve fosile, rekordet e temperaturave do të vazhdojnë të thyhen. //a.i/