/ATSH-DPA/- Fenomeni klimatik “El Nino” mund të arrijë një intensitet të paprecedentë, ndërsa temperaturat e ujit në pjesën tropikale të Oqeanit Paqësor mund të ngrihen në nivele rekord, njoftoi sot Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

“Temperaturat e ujit në këtë rajon nuk kanë qenë kurrë kaq të larta gjatë 40 viteve, që kur kanë nisur regjistrimet”, deklaroi sot në Gjenevë sekretarja e përgjithshme e organizatës, Celeste Saulo.

Sipas modeleve klimatike, temperatura e ujit në Oqeanin Paqësor, mund të arrijë deri në 3,8 gradë Celsius mbi mesataren afatgjatë. Rekordi i mëparshëm ishte rreth 3 gradë Celsius mbi këtë mesatare.

Saulo shpjegoi se një episod i “El Nino”-s konsiderohet se ka nisur kur temperatura e ujit rritet të paktën 0,5 gradë Celsius mbi nivelin normal.

“El Nino” është një fenomen natyror klimatik që shfaqet çdo disa vjet. Në varësi të rajonit, ai mund të shkaktojë thatësira të rënda ose reshje jashtëzakonisht të dendura shiu.

Evropa, në përgjithësi, ndikohet më pak nga pasojat e këtij fenomeni. //a.i/