ATSH/ Federata Shqiptare e Shpëtimit në Ujë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmi, Kulturës dhe Sportit, zhvilloi Kampionatin Kombëtar të Shpëtimit në Ujë 2026.

Kampionati vuri në provë shpejtësinë, teknikën dhe qëndrueshmërinë në disiplina që ndërthurin garën sportive me aftësitë për të shpëtuar jetë.

Ministri Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se përgatitja në këto disiplina merr vlerë të veçantë gjatë sezonit veror, kur siguria e pushuesve kërkon vigjilencë dhe ndërhyrje të shpejtë nga postacionet e vrojtimit në plazhet tona.

“Zhvillimi i turizmit kërkon edhe më shumë siguri në bregdet, ndaj mbështesim nisma që forcojnë kulturën e parandalimit dhe shpëtimit në ujë”, u shpreh kreu i MTKS-së.

Në këtë kampionat, i cili zhvillohet prej vitit 2019, morën pjese 34 garues. Garat u zhvilluan në kategori për meshkuj dhe femra, në disiplina që kërkojnë përgatitje fizike, aftësi teknike dhe shpejtësi në realizimin e teknikave të shpëtimit në ujë. Garat u zhvilluan në 5 disiplina: Medley i Shpëtimit – 100 m (Meshkuj); Mbartja e Manekinit me Lopata – 100 m (Meshkuj); Mbartja e Manekinit me Lopata – 100 m (Femra);  Mbartja e Manekinit – 50 m (Meshkuj); Mbartja e Manekinit – 50 m (Femra).

Çdo vit, më shumë se 300,000 njerëz në gjithë botën humbin jetën nga mbytja në ujë, ose 30 persona çdo orë. Pas çdo statistike qëndron një familje, një e ardhme dhe një jetë që mund të ishte shpëtuar. Këto shifra do të mund të uleshin ndjeshëm me parandalimin, investimin në sigurinë e plazheve publike, duke garantuar praninë e vrojtuesve të plazhit të trajnuar në çdo zonë ku lejohet notimi dhe frekuentohet nga pushuesit.