Kampionati vuri në provë shpejtësinë, teknikën dhe qëndrueshmërinë në disiplina që ndërthurin garën sportive me aftësitë për të shpëtuar jetë.
Ministri Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se përgatitja në këto disiplina merr vlerë të veçantë gjatë sezonit veror, kur siguria e pushuesve kërkon vigjilencë dhe ndërhyrje të shpejtë nga postacionet e vrojtimit në plazhet tona.
“Zhvillimi i turizmit kërkon edhe më shumë siguri në bregdet, ndaj mbështesim nisma që forcojnë kulturën e parandalimit dhe shpëtimit në ujë”, u shpreh kreu i MTKS-së.
Në këtë kampionat, i cili zhvillohet prej vitit 2019, morën pjese 34 garues. Garat u zhvilluan në kategori për meshkuj dhe femra, në disiplina që kërkojnë përgatitje fizike, aftësi teknike dhe shpejtësi në realizimin e teknikave të shpëtimit në ujë. Garat u zhvilluan në 5 disiplina: Medley i Shpëtimit – 100 m (Meshkuj); Mbartja e Manekinit me Lopata – 100 m (Meshkuj); Mbartja e Manekinit me Lopata – 100 m (Femra); Mbartja e Manekinit – 50 m (Meshkuj); Mbartja e Manekinit – 50 m (Femra).
Çdo vit, më shumë se 300,000 njerëz në gjithë botën humbin jetën nga mbytja në ujë, ose 30 persona çdo orë. Pas çdo statistike qëndron një familje, një e ardhme dhe një jetë që mund të ishte shpëtuar. Këto shifra do të mund të uleshin ndjeshëm me parandalimin, investimin në sigurinë e plazheve publike, duke garantuar praninë e vrojtuesve të plazhit të trajnuar në çdo zonë ku lejohet notimi dhe frekuentohet nga pushuesit.



























