Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka organizuar një takim informues mbi zhvillimet në aviacionin civil në mënyrë të veçantë vënien në funksion të aeroportit të Kukësit, ku u shpreh se fluturimet nga ky aeroport do të fillojnë në18 prill.
“Në këto momente jemi duke pritur të përfundojnë afatet përsa i përket aeroportit të Vlorës, afatet ligjore të ankimimeve dhe më pas do të jemi të gatshëm për të nisur negocimin e kontratës, të cilën siç e kemi deklaruar duke qenë se kriteret e kësaj gare kanë qenë mjaft të detajuara do të jetë një kohë e shkurtër, jo më shumë se 30 ditë, përsa i përket negocimit të kontratës dhe më pas do të kalojmë në firmosjen e saj. Ndërkohë që në aeroportin e Kukësit kemi bërë testet e para përsa i përket procedurës së ulje-ngritjeve. Janë në faza përfundimtare si pista ashtu edhe terminali dhe ndërkohë çfarë është e rëndësishme dhe duket theksuar kemi nisur nga puna prej kohësh, por tani jemi në finalizim edhe të hapave që duhet të hedhim përsa i përket garës së aeroportit të Sarandës që siç kemi thënë kemi vendosur që t’a përmbyllim dhe të nisim këtë garë vetëm në momentin e firmosjes së marrëveshjes për aeroportin e Vlorës. Fluturimi i parë nga aeroporti i Kukësit pritet të jetë në datën 18 prill.”, bëri të ditur Balluku.
Përballë këtij zhvillimi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vuri theksin tek rëndësia e rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore në aviacion duke ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim.
“Duhen shtuar kapacitetet njerëzore në fushën e aviacionit pasi shumëfishimi i aeroporteve apo ngritja e kësaj kompanie të re ajrore, që ne e dimë shumë mirë që është bërë një punë e madhe për të identifikuar stafet të cilat punojnë, por sigurisht ne nuk kemi pilotët shqiptarë akoma. Kemi djem dhe vajza, që kanë studiuar jashtë dhe punojnë jashtë, por që do ishte shumë mirë që ata të ktheheshin dhe të bëheshin pjesë e këtyre zhvillimeve të aviacionit civil dhe sigurisht një nga planet që ne kemi dhe që është shumë i rëndësishëm është fillimi i ngritjes së kapaciteteve të para. Unë do të vazhdoj me këmbëngulje t’a bëj duke e diskutuar dhe me kolegen time, Ministren e Arsimit që do të ishte mirë që në Universitetin Politeknik të Tiranës ne tashmë, për shkak të të gjitha këtyre vende të punës që do krijohen në fushën e aviacionit, të fillonim dhe të kishim një degë të dedikuar për aviacionin”, tha Balluku.
Ministrja njoftoi gjithashtu se duke nisur nga data 28 Mars do të nisin fluturimet direkt, dy herë në javë, nga Dubai në Tiranë.
“Çdo të enjte dhe çdo të diel do të ketë fluturime direkte nga Dubai për në Tiranë duke akomoduar kështu kërkesën e tregut, e cila është në rritje nga të gjithë informacionet që vijnë nga agjencitë e udhëtimeve, për sa i përket shqiptarëve që kërkojnë të shkojnë në Dubai, por gjithashtu do t’i shërbejë edhe pasagjerëve nga Dubai për të ardhur në Tiranë, duke e lidhur kështu dhe me zhvillimet e tjera që do kemi në industrinë e turizmit dhe ndërtimit”, u shpreh Balluku.


























