Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh sot se “investimet në infrastrukturën sportive vlejnë jo vetëm për nxënësit e vetë shkollave, për orët e edukimit fizik dhe aktivitetet sportive, por ato gjallërohen gjatë gjithë ditës edhe në shërbim të komunitetit përreth”.

Kushi ndau një moment nga vizita e disa ditëve më parë në Tepelenë, ku në terrenin sportiv të një shkolle takoi pasdite disa djem që po luanin me top.

“I përshëndeta djemtë me shumë përzemërsi dhe forcova bindjen se është e domosdoshme të investojmë sa më shumë në infrastrukturë dhe aktivitete sportive në çdo bashki të vendit, që të rrisim dhe edukojmë një brez të ri sa më të shëndetshëm dhe aktiv për shoqërinë”, tha ministrja.