Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se deri tani nuk ka të dhëna që në Shqipëri të ketë raste të hepatitit akut te fëmijët, që është shfaqur së fundmi në disa shtete.
Në mbledhjen e Komitetit Teknik i Ekspertëve, Bino tha se ISHP është në gjendje që të identifikojë këtë virus.
“Prej tre javësh jemi në alert për të evidentuar raste të mundshme, por deri më tani nuk ka vend për shqetësim. Ne kemi marr njoftimin për hepatitin, nuk kemi të dhëna në vendin tonë, natyrisht rastet më të shumta janë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Kemi ngritur vëmendjen, kemi ngrit alerin. Deri tani asnjë shenjë shqetësuese. ISHP është në gjendje të bëjë identifikimin e adenovirusit”, tha ajo.
Ndërkohë Gjeorgjina Kule, shefe e Pediatrisë Infektive në QSUT, tha se sa u përket shenjave të këtij virusi për të cilat prindërit duhet të shqetësohen, përfshijnë shqetësime të traktit tretës, si diarre apo të vjella.
“Shenjat lidhen me traktin tretës: të vjella, diarre, këputje dhe zverdhje të lëkurës. Nëse ka turbullira të traktit tretës dhe nuk qetësohen, të drejtohen te mjeku i familjes për të mos na shpëtuar ndonjë rast dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Kemi vënë re çrregullim të mëlçisë në kuadër të COVID-19, por të gjitha rastet janë trajtuar. Jemi vigjilentë”, tha ajo.



























