Muaji maj erdhi me heqjen e të gjitha kufizimeve anti-Covid në Republikën e Shqipërisë. Vërtet ka një numër në rënie të të infektuarve në një ditë, por mjekët konstatojnë se ky numër është më i lartë duke pasur parasysh që njerëzit ose mjekohen vetë në shtëpi, ose qëndrojnë në komunikim të vazhdueshëm telefonik me doktorët.
Nëse bëjmë një krahasim nga janari i këtij viti deri më tani rezulton, se në janar, ne kryenim rreth 60-70 madje edhe më shumë vizita në një ditë, ndërsa tani ky numër shkon në 25-30 vizita në ditë.
Me fëmijët jemi në një situatë tjetër, shumë të ngarkuar. Të paktën që nga fundmarsi dhe prilli po qarkullojnë viroza të shumta. Vërejmë simptoma të tilla temperaturë e lartë, infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, apo probleme me bajamet e qelbëzuara, infeksione të rrugëve të poshtme, që nga trakeitet e thjeshta, trakobronkitet, më pak bronkopneumonitë dhe kryesisht problem gastrointestinale, bark e të vjella. Është një virozë që qarkullon në një periudhë thuajse 1-mujore. Nuk përjashtohet edhe variçela, ose “lija e dhenve” që është prezente që nga janari, pra prej 5 muajsh në vendin tonë.



























