Kryeministri Edi Rama po merr pjesë mbrëmjen e sotme në darkën e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Josep Borrell, shefi i diplomacisë europiane dhe zv.president i Komisionit Europian.

Kreu i qeverisë publikoi pamje nga fotoja familjare përpara darkës së punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, ftuar nga Josep Borrell.

Në këtë darkë janë të pranishëm, Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Tradita e organizimit të darkave me liderë nga Ballkani Perëndimor është iniciuar nga ish-kryetarja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, si një mënyrë për të inkurajuar dhe përmirësuar bashkëpunimin brenda rajonit dhe rajonit me BE-në. /j.p/