Qeveria shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART për klasat I – II – III.
Në nënshkrimin e marrëveshjes ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff.
Kryeministri Edi Rama tha se “sot këtu jemi për të filluar një proces rrënjësisht transformues që është pjesë e revolucionit tonë digjital që u nxit në mënyrë të posaçme nga nxënësit me të cilët ne patëm një komunikim intensiv të koordinuar nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës”.
“Laboratorët që figurojnë fizikisht në shkolla, por në të vërtetë kryejnë një pjesë shumë të vogël për të mos thënë asgjë të misionit të tyre, sepse janë realisht të dalë kohe në kushtet kur sot fëmijët e vegjël janë shumë të avancuar dhe më të shpejtë sesa shpejtësia e ndryshimit të logjistikës të bërë në gjithë këto vite që kur kanë filluar të vendosen laboratorët e informatikës”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “ne u vumë në lëvizje me shpejtësi dhe gjetëm në këtë rrugë një partner serioz të besueshëm, të super kualifikuar dhe të gatshëm për të kontribuar edhe financiarisht për ta nisur këtë proces e fillojmë me 100 laboratorët e parë SMART, që janë laboratorë të gjeneratës më të fundit në 100 shkolla të vendit tonë. Ndërkohë ky është vetëm fillimi, ne do vazhdojmë më tutje se ambicia jonë është që me shpejtësi të shkojmë drejt plotësimit të të gjithë shkollave me laboratorë SMART, por kjo kërkon financë dhe përveç financës kërkon edhe një njohje të mirë të procesit”.
“Me këto 100 shkolla, do të kemi disa muaj kohë për të parë se si do të funksionojë procesi jo në aspektin e furnizimit të laboratorëve, por në aspektin e mësimdhënies”, vijoi Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “paralelisht me këtë nesër do lançojmë përsëri me AADF një tjetër program që është programi i Kodimit, i të mësuarit të kodimit për nxënësit, të rejat dhe të rinjtë që janë në arsimin parauniversitar. Ky program do të fillojë me numra relativisht të vegjël, por ne duam ta kthejmë në një lëvizje rinore”.
“Të dyja këto punë shkojnë paralelisht edhe me çka po bëjmë me AADF për Piramidën, e cila së shpejti do hapë dyert duke u transformuar në qendrën më të madhe të inovacionit në rajonin tonë dhe duke u bërë streha për të rejat e të rinj që do të shkojnë më tutje në fushën e teknologjisë, ashtu siç ndodh me qendrën TUMO, në një nga hapësirat e stadiumit kombëtar “Air Albania””, tha Rama.
Rama u shpreh se, “ne po përgatitemi që duke filluar nga viti i ri shkollor të kemi një sistem të ri të mësuarit të lëndës së informatikës, që do shtrihet në të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në laboratorët SMART, por edhe në ato ekzistuese, për të rritur cilësinë e mësimdhënies përmes një skuadre mësuesish të përzgjedhur, të cilët në mënyrë të qendërzuar do të lidhen me klasat në të gjithë territorin e vendit”.
“Aktualisht në Korçë po zhvillohet ky aktivitet, në Vlorë planifikojmë që të kemi një qendër tjetër te sheshi i Flamurit dhe kështu me radhë për të shtrirë sa më shumë në territory, hapësirën e mësimit të teknologjisë dhe hapësirën e zhvillimit të fëmijëve, të vajzave dhe të djemve për t’i dhënë në dorë një instrument që ju siguron punësim cilësor dhe ju siguron të ardhura të larta”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “besoj që në këtë periudhë kohe ne kemi planin e duhur, patjetër që kemi dhe partnerët e duhur. Michael e tha që Fondi është një partner dhe qëllimi është që ne të kemi dhe partner të tjerë, jo vetëm partnerë institucionalë si Banka Botërore, të cilët janë angazhuar për të financuar në këtë drejtim, por edhe partnerë të tjerë që ne po përpiqemi që t’i afrojmë drejt kësaj iniciative në mënyrë që Shqipëria e vitit 2030 të jetë tërësisht ndryshe pikërisht në kapacitetet e reja në funksion të teknologjisë dhe patjetër me një cikël punësimi të të rinjve që është një cikël i ri që ju garanton punësim cilësor pa qenë të detyruar të lëvizin nga shtëpia, pa qenë të detyruar të lëvizin nga atdheu i tyre, por duke u integruar në tregun global përmes dijeve të përfituara brenda këtij sistemi dhe duke ofruar dijet e tyre për kompani kudo në botë”.
“Sot kemi një numër të rinjsh që e bëjnë këtë. Janë të rinj të talentuar, të angazhuar në vullnet të madh individual në këtë punë dhe shembulli i tyre është një burim frymëzimi për ne që ne ta kthejmë këtë në një lëvizje dhe patjetër që do t’ia dalim për sa kohë kemi partnerë si Fondi, që bën një rrugë e dy punë dhe “i gllabëron” këto pasuritë tona dhe bën që këto pasuritë tona të dalin në dritë dhe të përfitojnë të gjithë”, tha Rama.
Ndërsa kryetari i AADF, Granoff tha se “investimi jonë është 3.375 milionë dollarë, shpresojmë që këto para të tërheqin para të tjera nga pjesëmarrës që mund të na bashkohen, OJF që duan të na bashkohen”.
“Jam i lumtur që e nisim në këtë mënyrë, jam mirënjohës për partneritetin që kemi krijuar me qeverinë”, shtoi Granoff.
Granoff u shpreh se “do të punojmë në 100 shkolla, do të monitorojmë rezultatet dhe do të kuptojmë pilotimin. Në këtë mënyrë duhet të shpenzojmë kohën duke punuar”.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, u shpreh se përmes kësaj nisme, pritet të përfitojnë, që në muajin shtator, mbi 7000 nxënës të klasës së parë në 100 shkollat e përzgjedhura, përmes programeve dhe kushteve mësimore të krahasueshme me bashkëmoshatarët e tyre në vendet më të zhvilluara evropiane.


























