Policia Rrugore vijon monitorimin e pandërprerë të qarkullimit të automjeteve, në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Makina inteligjente dhe radarët automatikë, në monitorim të qarkullimit në Rrugën e Kombit dhe në aksin rrugor Milot-Rubik, i cilësuar si aks me risk për përfshirje në ngjarje rrugore kanë konstatuar shkelje të qarkullimit rrugor.

“Si rezultat i skanimit të automjeteve me makinën inteligjente dhe radarët automatikë, në Rrugën e Kombit dhe në aksin Milot-Rubik-Milot:  janë pezulluar 78 leje drejtimi të drejtuesve të automjeteve që qarkullonin me shpejtësi nga 142 km/h deri në 218 km/h në Rrugën e Kombit, ku shpejtësia e lejuar është 100 km/h; janë pezulluar 17 leje drejtimi të drejtuesve të automjeteve që qarkullonin me shpejtësi nga 118 km/h deri në 164 km/h në aksin Milot-Rubik, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h; janë evidentuar 369 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 20 deri në 30 km/h mbi normën e lejuar, të cilët u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 4000 deri në 10.000 lekë të rinj; janë evidentuar 59 drejtues automjetesh në shkelje të dyfishtë – krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtuesit përdornin edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit;  janë evidentuar 53 drejtues të tjerë mjetesh në shkelje të dyfishtë – krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtuesit nuk kishin vendosur as rripin e sigurimit; janë evidentuar 81 drejtues mjetesh në shkelje të trefishtë – krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtuesit përdornin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe nuk kishin vendosur as rripin e sigurimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia Rrugore njofton se, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 16 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara në kthesa me rrezikshmëri për përfshirje në ngjarje rrugore.