Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Amsterdami se “ne duam të jemi pjesë e BE-së dhe më pas nëse vende si Bullgaria në këtë rast e përdorin anëtarësinë e tyre në BE dhe veton në BE për të diskutuar historinë në nivele politik, kjo është edhe më e ndërlikuar”.

Gjatë bashkëbisedimit në qendrën e mirënjohur “De Balie”, Rama tha se “sa herë historia merret në dorë nga politikanët për t’u zgjidhur, rezultati është që historia të ndërlikohet më shumë se sa ishte para se ta merrnin në dorë”.

“E gjitha kjo është një turp që lidhet me frymën e devijuar të zgjerimit. Nuk është Bullgaria, Bullgaria është shembulli i frymës së deformuar të zgjerimit dhe mënyra se si funksionon BE, mekanizimi është i vjetëruar dhe duhet të ndryshojë. Një vend që merr peng dy vende të tjera për disa çështje që nuk i vë në diskutim”, tha Rama.

Sipas tij,  çështjet historike s’duhet të disktuohen në nivel europian.

“Gjëja më e pakuptueshme përtej kësaj është se as ne, as Maqedonia e Veriut nuk po trokasim në derën e BE-së për t’u bërë anëtar. Po të bëheshim që sot anëtar, do ta kuptoja shqetësimin. Thjeshtë po kërkojmë të nisim bisedimet për anëtarësim”, theksoi Rama.

Sipas tij, “ne jemi kandidat pa folur, tani duam të flasim dhe këto bisëdime do të duan, nuk e  di edhe se sa vite të tjera, por kjo është pengmarrje për synime të brendshme, zgjedhje këtu, zgjedhje atje”.

“Sa herë që ka një palë zgjedhje që afrohen në një vend të caktuar, e dijmë që në një farë mënyre do të jemi problematik menjëherë”, nënvizoi kryeministri, duke shtuar se “është një proces i brendshëm i të mbajturit larg pasi s’ka të bëjë më me çfarë bën”.

“BE ka një Komision Europian që paguhet nga fondet e BE, makineria më e rëndë burokratike në botë që mbikëqyrin 24 orë çdo vend, dhe pastaj prodhojnë raporte për shtetet anëtarë që t’u thone që ky vend ka përmbushur këtë gjë dhe atë tjetrën, por nuk është mjaftueshëm. Mendoj se duhet të ishin çelur bisedimet për anëtarësim prej shumë vitesh, ndoshta do i çelin vitin e ardhshëm, ndoshta jo, por nuk do humbasim më gjumë për këtë”, deklaroi Rama.