Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mori pjesë dhe përshëndeti në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Studimeve Politike të KiE.
Në këtë veprimtari ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e Këshillit të Evropës në Shqipëri, Jutta Gutzkow, si edhe drejtori i Shkollës së Studimeve Politike të KiE, Erjon Tase.
Në përshëndetjen e saj Nikolla nënvizoi se, “brezi që po diplomohet është i 15-ti, në këtë shkollë me prestigj në rritje, themeluar nga Këshilli i Evropës. Ju përgëzoj për faktin që pjesëmarrësit kanë pasur si objekt të punës kërkimore aspekte të reformave të rëndësishme që po avancohen e thellohen në Shqipëri”.
“Kjo është në kohezion edhe me objektivin e Shkollës së Studimeve Politike, si një program edukimi me synim nxitjen e një brezi të udhëheqësve të rinj politikë dhe shoqërisë civile, të përkushtushtuar për zbatimin e modeleve më të mira demokratike të qeverisjes dhe zhvillimit të vendit si dhe për trajnimin e brezave të ardhshëm të udhëheqësve në institucionet politike, ekonomike, kulturore, sociale etj.”, tha Nikolla.
Nikolla theksoi se, “përvoja që po krijon Shkolla po konsolidohet si një kontribut i drejtpërdrejtë në konsolidimin e institucioneve demokratike, fuqizimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e qeverisjes në nivel qendror dhe vendor, zhvillimin dhe implementimin e politikave publike në shërbim të qytetarëve, nxitjen e dialogut dhe të komunikimit politik, harmonizimin e politikave kombëtare me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Europian, përfshirjen e komuniteteve të nënpërfaqësuara në proceset politike, ekonomike e shoqërore, kufizimin e përjashtimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale, forcimin e kohezionit social e territorial etj.”.
“Ju përgëzoj gjithashtu për përvojën pozitive që po krijoni gjatë zbatimit të programit të Shkollës nëpërmjet bashkëpunimit të përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike si dhe të profileve të ndryshme nga administrata publike, aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët, për të diskutuar së bashku mbi problematikat, ndërtuar ura bashkëpunimi dhe ofruar e zbatuar ekspertizën më të mirë profesionale për të gjetur zgjidhjet e duhura.
Kuvendi i Shqipërisë është duke bashkëpunuar prej vitesh me Akademinë e Studimeve Politike, si organizata që zbaton programin e Shkollës, në disa nisma bashkëpunimi për konsultimet e reformave të rëndësishme, duke përfituar nga ekspertiza e të diplomuarve dhe ekspertëve të angazhuar nga Shkolla”, tha ajo.
Ajo shtoi se, “themelimi dhe puna për zhvillimin e rritjen e kapaciteteve të Grupit të Gjelbër parlamentar, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Politike, është një tjetër nismë e vlerësuar nga Kuvendi, e cila tregon se bashkëpunimi ynë do të vijojë”.
“Në vazhdim të këtij bashkëpunimi të suksesshëm, ju ftoj dhe jeni të mirëpritur të përfshiheni e të kontribuoni në proceset konsultuese dhe nisma e objektiva të tjera të Kuvendit, si procesin e integrimit evropian, monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të objektivave të reformave zhvillimore, demokratizuese dhe integruese, rritjen e transparencës dhe informimit të publikut etj.”, përfundoi Nikolla.


























