Të rinjtë nga mosha 15-29 vjeç pa arsim dhe formim profesional do të punësohen përmes programit për nxitjen e punësimit, nëpërmjet të nxënit në vendin e punës. Ky program i nxitjes së punësimit do të realizohet me anë të kurseve 3-6 mujore të formimit profesional dhe më pas punësimit për 6 muaj të tjerë.

Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, pozicionet e punës në të cilat do të angazhohen kursantët, janë pozicione të lira pune ku ata do të punojnë për të paktën 6 muaj të tjerë pas përfundimit të programit, ku punëmarrësit do të paguhen nga punëdhënësi të paktën me pagë minimale në shkallë vendi.

Të rinjtë që do të marrin pjesë në program, do të përfitojnë bonusin e transportit në vlerën 1 mijë e 600 lekë në muaj në rast se banojnë më shumë se 2 km larg vendit të punës dhe pagesën e pjesëmarrjes në kursin e formimit profesional, 80% të pagës minimale për gjysmën e parë të kursit dhe 100% për pjesën e mbetur.

Kush përfiton nga programi:

Sipas vendimit të qeverisë, të drejtën e përfitimit nga programi për nxitjen e punësimit e kanë të gjithë të rinjtë e regjistruar jo më shumë se 4 muaj në strukturën përkatëse të punësimit; punëdhënësit e regjistruar në strukturën përkatëse të punësimit, që veprojnë si persona fizikë e juridikë.

Kriteret e përfitimit:

Për të përfituar nga programi, ka disa kritere të përcaktuara nga qeveria, sipas së cilave punëdhënësi duhet të jetë regjistruar jo më pak se 6 muaj, nuk kanë detyrime tatimore të prapambetura dhe vetëdeklarojnë se kanë vende të lira pune.

Po ashtu, punëdhënësit duhet të caktojnë një instruktor për çdo grup përfituesish me deri në 5 punëkërkues të papunë dhe është instruktori ai i cili ka për detyrë të këshillojë, të drejtojë e të ndihmojë kursantët për t’u aftësuar në punë e procese, të përcaktuara sipas programit të formimit profesional dhe të bëjë vlerësimin dhe raportimin e ecurisë së kursantëve.rtsh