Elbasani mund të thuhet se i ka bërë një nisje të mbarë kampionatit, pasi ndodhet në vendin e tretë pas gjashtë javësh. Ndonëse me pikët e grumbulluara mund të mos jenë të kënaqur, sërish kanë zënë një pozicion komod në klasifikim. Mirëpo, më e vështira vjen rrugës, pasi nuk është e lehtë të ruash pozicionet e kreut, për më tepër që ngjeshja e skuadrave është e madhe. Një fakt që në Elbasan e kanë të qartë, ndaj pas dy barazimeve radhazi, shpreojnë menjëherë rikthimin tek fitorja. “Problemi” i vetëm është se këtë fundjavë luajnë në transfertë, aty ku nuk i kanë mirë punët.
NGËRÇI I TRANSFERTAVE – Nëse Elbasani aktualisht është në vendin e tretë, janë pikët që kanë marrë në shtëpi që ia mundësojnë këtë klasifikim. Në transferta, skuadra nuk ia ka dalë të koleksionojë ende tri pikët e para në kampionat. Madje, nuk ia dolën as ndaj Dinamos, që edhe pse në letër ishte ndeshje jashtë shtëpie, e luajtën në Elbasan. Në dy përballjet e kaluara kanë marrë dy barazime identike, 1 me 1 me Skënderbeun dhe Tiranën. Këtë fundjavë kanë një test të vërtetë në këtë aspekt, pasi do të jenë mysafirë në Ballsh, aty ku vendasit faktorin fushë e kanë një ndër pikat e tyre më të forta. Të besuarit e Roberto Bordin duan të ruajnë ritmin e kryesuesve, por nga ana tjetër duhet të thyejnë një tabu, sepse vetëm barazimi për një ekip që pretendon nuk i shkon shumë për shtat. Nga ana tjetër, edhe kalendarin tani nuk e kanë shumë në favor, sepse pas mallakastriotëve do të jenë sërish larg shtëpisë, ku do të përballen me kryesuesit e Vllaznisë. Me pak fjalë, dy transferta të vështira që do të tregojnë “pjekjen” që ka bërë skuadra në Superiore dhe që mund të ndikojë jo pak në aspektin moral të verdhebluve për ecurinë në vazhdim.
SITUATA – Mirëpo, ajo që shqetëson më shumë ekipin, është situata me grupin përpara kësaj ndeshjeje delikate. Pas kapitenit Bruno Lulaj që do të mungojë për arsye kartonësh, Bordin duhet të bëjë mirë llogaritë edhe me dëmtimet. Ndaj Egnatias ishin katër lojtarë të formacionit në tribunë, si Edon Hasani, Arsen Kasa, Bedri Greca dhe Ze Gomesh. Këta futbollistë janë në luftë me kohën që të jenë të gatshëm për këtë fundjavë dhe në mos të gjithë, shpresohet që të paktën ndonjë prej tyre të rikuperohet dhe t’i bashkohet sa më parë skuadrës.

PANORAMA SPORT