Elbasani nuk ka ditur ta shfrytëzojë sa du het faktorin “fushë”, atë që mendohej se këtë sezon do të ishte një nga “armët” më të forta të këtij ekipi karshi kundërshtarëve, për shkak të mbështetjes së madhe të tifozërisë në shkallët e stadiumit. Mjafton të thuhet se tri ndeshjet e fundit i kanë pasur në “Elbasan Arena”, një kalendar që në kampin elbasanas shpresonin ta kthenin në favorin e tyre, por nuk ka ndodhur ashtu.
Ekipi i trajnerit Roberto Bordin ka sigluar vetëm tri barazime, duke marrë kështu 3 pikë nga 9 të mundshme. Me këto rezultate elbasanasit i kanë hequr vetes mundësinë për të qenë në krye të tabelës së klasifikimit disa herë. Jo vetëm kaq, verdheblutë i kanë luajtur deri tani 7 nga 10 ndeshjet në total në “Elbasan Arena”, sepse aty shtohen edhe ato ndaj Dinamos dhe Vllaznisë, ku sipas kalendarit Elbasani ka qenë ekip udhëtues, por në fakt ka luajtur në shtëpi.
E përkthyer në pikë, janë marrë vetëm 10 nga 21 të mundshme në shtëpi, më pak se gjysma. Një bilanc që mendohej të ishte shumë më ndryshe para këtyre ndeshjeve dhe që në javët në vazhdim verdheblutë duhet ta kthejnë më fort në favorin e tyre.
VARËSIA – Edhe pse ndoshta është herët për të dalë në konkluzione të sakta, 10 javë janë gjithsesi të mjaftueshme për të dhënë një indicie në lidhje me Elbasanin e këtij sezoni. Ajo që bie në sy është se verdheblutë kanë nisur të krijojnë një varësi nga sulmuesi i tyre kryesor, Ze Gomesh. Nga 10 golat e shënuar deri më tani, 4 prej tyre kanë ardhur pikërisht nga portugezi.
Dhe bëhet fjalë për 40% të rrjetave që vijnë nga këmbët e 25- vjeçarit dhe është ai që po e shpëton skuadrën të paktën nga humbjet. Mjafton të thuhet se tre barazime, konkretisht ndaj Tiranës, Partizanit dhe Skënderbeut, kanë ardhur pas golave të Ze Gomeshit, në një kohë që Elbasani më herët ka qenë në disavantazh.
Sulmuesi ka shënuar edhe një gol vendimtar ndaj Laçit, ndeshje që elbasanasit e fituan minimalisht 1-0. Për ndeshjen e radhës me Teutën trajneri Bordin shpreson shumë te forma e mirë e portugezit për të shkuar te goli dhe për të dalë me tri pikët dhe jo vetëm një.
SITUATA – Për aq kohë sa Elbasani vijon të qëndrojë në vend të katërt, duket se problemi me fitoret e munguara është i harruar, sepse është brenda objektivit të vendosur nga klubi. Mirëpo nëse vijohet gjatë me këtë situatë pa fitore, atëherë situata mund të ndryshojë dhe në skuadër do të rritet presioni i pikëve.
Për këtë arsye në klub shpresojnë te rikthimi sa më parë te fitorja dhe në Durrës do të shkojnë për të marrë maksimumin e mundshëm. Si për ironi, në të vetmen ndeshje që Elbasani ka shënuar më shumë se një gol këtë sezon, ka qenë pikërisht ajo ndaj Teutës, kundërshtar që e mundën pastër 3-0 fazën e parë në “Elbasan Arena”.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL