TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Europian, Zef Mazi, duke kërkuar mbështetje nga të gjitha palët për çështjen e procesit të negociatave, theksoi sot se ky është moment historik për vendin pasi do të jenë negociatat më të rëndësishme që ka bërë Shqipëria në 70 vitet e fundit.

Në fjalën e tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit, Mazi theksoi se “është një punë shumë e madhe që do të ketë sfida mjaft të mëdha. Grupi negociator është me njohuri shumë të larta profesionale dhe me përvoja të gjata në procesin e integrimit. Vetë pozicioni i  lartë i tyre institucional është një aset që do të shërbejë në punën tonë të përbashkët”.

“Ky shans i madh që na u dha do na motivojë të shtojmë përpjekjet dhe ta çojmë me sukses përpara këtë besim. Kjo punë do të arrijë që të kryhet mirë, nëse do të vazhdojmë të koordinohemi mirë, të flasim në një zë, të jemi të dedikuar dhe profesionistë”, – nënvzioi Mazi.

Më tej ai shtoi se “me përkrahjen e të gjithë këshillit, spektrit politik dhe shoqërisë civile, strukturave akademike dhe faktorëve që kanë peshë në shoqërinë shqiptare unë dhe grupi negociator nuk do të kursejmë njohuritë tona për ta çuar përpara këtë objektiv strategjik për mbylljen me sukses të negociatave për vendin tonë”.

ATSH