ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se më datë 1 nëntor do të jenë të rindërtuara shumica e shkollave të shkatërruara nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
Në disa zona të prekura nga tërmeti ka nisur operacioni i rindërtimit të shkollave me prishjen e objekteve të dëmtuara, të cilat do të rindërtohen nga themelet me standardet më të mira europiane.
Ministri Ahmetaj theksoi se menjëherë pas marrëveshjes kuadër do të nisim me ofertat dhe 40 shkollat do të mund të presin nxënësit me 1 nëntor.
Ndërkohë, tha ministri Ahmetaj, 20 shkolla të tjera po ndërtohen nga UNDP me financim të Komisionit Europian, marrëveshje që u nënshkrua disa ditë më parë në Tiranë prej 15 milionë eurosh dhe që do të zbatohet në 5 zona të prekura nga tërmeti në vend.
“Komisioni Europian ka nisur me 22 objekte në disa zona të vendit nëpërmjet UNDP që do të zbatojë kontratën. Parlamenti Europian ka aprovuar edhe 100 milionë euro që u angazhuan më 17 shkurt në Bruksel dhe shumë shpejt do të detajojmë edhe këtë buxhet në dy fasha kryesore, ku një pjesë do të jetë për arsimin dhe një pjesë për objektet e trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu edhe Amfiteatrin e Durrësit”, tha Ahmetaj.
Ministri, po ashtu theksoi se do të nis shumë shpejt edhe infrastruktura shoqëruese në të gjithë zonën e dëmtuar./a.gjonaj/ /a.g/