ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje dhe se çdo bishtni nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale dhe në mexhelisin mediatik lokal, por e largon fitoren reale dhe dobëson pozicionin e Kosovës, qoftë së brendshme në raport me vetveten, qoftë së jashtmi në raport me botën.

Në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që po mbahet sot në Tiranë, Rama theksoi se “takimi i Uashingtonit, rihapja e dialogut me Serbinë, përparimi në axhendën e reformave europiane, janë disa prej shenjave kuptimplota të përparimit diplomatik të Kosovës”.

“Në mënyrë të veçanta dua të theksoj qasjen e mençur, kurajoze dhe konstruktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, në një koordinim të zgjuar me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA e BE duke tërhequr kështu çdo pengesë për rinisjen e dialogut, që në fakt koha dhe faktet treguan se ishin një pengesë që Kosova i vuri vetvetes”, tha kryeministri.

Konsensusi i brendshëm, sa i takon qëndrimit dhe dialogut në funksion të forcimit të pozitave negociuese të Kosovës, tha Rama, është një domosdoshmëri që unë, vijoi ai, uroj e besoj të mbetet e tillë në sytë e të gjithë atyre që garantojnë këtë konsensus.

Sot, theksoi kryeministri Rama, jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve, qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë, qoftë edhe rezultatet e ndërmarrjes së një rruge me perspektivë.

“Në shumë pak kohë u arrit të restaurohej një krisje shumë e madhe që pati pasoja jo të vogla mbi Kosovën dhe u arrit të hidhej një hap për të cilin jam i bindur se çdo ditë dhe çdo vit që kalon do të flasë gjithmonë e më mirë në Uashington”, u shpreh Rama./a.gjonaj/ /a.g/