ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zhvilloi gjatë ditës së sotme pranë ambienteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, analizën vjetore për vitin 2020.
Në analizë vjetore ishin të pranishëm ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, Drejtuesi i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari dhe drejtues të tjerë të lartë të MBZHR, Drejtoritë Rajonale të AKU dhe ISUV, Armand Reveli.
Ministrja Ekonomi theksoi rëndësinë e mendësisë që duhet patur gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e stafit të AKU për ta kryer atë me pasion dhe duke patur në vëmendje integritetin dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Roli i AKU-së është të këshillojë biznesin ushqimor dhe ta edukojë atë në plotësimin e detyrimeve që i përcakton korniza ligjore. Duhet të rritet aktiviteti i kërkimit shkencor dhe të kihen parasysh edhe rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian në raport progreset për sigurinë ushqimore”, tha Ekonomi.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Bledar Skënderi u shpreh se AKU flet me gjuhën e konsumatorit dhe ky nuk është një slogan, por është përkufizimi i qëndrimit të institucionit ndaj tyre.
“Është shtruar rruga e një kulture transparence dhe do të vijohet të bëhet në një qeverisje të mirë të institucionit, të komunikimit të vazhdueshëm me konsumatorin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet strukturave të brendshme dhe institucionin politikë bërës, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural, me qëllim arritjen e objektivave parësore, garantimin e sigurisë ushqimore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Bashkëpunimet me partnerët ndërkombëtare janë të rëndësishme dhe AKU angazhohet maksimalisht për të ecur me ritmin që dikton koha”, -tha Skënderi.
Më tej në takim u vijua me pasqyrimin në mënyrë të detajuar të punës së AKU-së gjatë vtit 2020, duke evidentuar disa nga arritjet dhe problematikat e institucionit, që nga detyrat specifike për inspektime ndaj subjekteve që operojnë në fushën e sigurisë ushqimore dhe inputeve bujqësore, rikonceptimin e strukturës që do të kryejë vlerësimin e riskut dhe komunikimit të tij.
Disa nga arritjet më të rëndësishme të AKU për vitin 2020 kane qenë rritje konstante e punës për ndërgjegjësimin e konsumatorit shqiptar për kujdesin që duhet të tregojnë në konsumin e produkteve dhe po aplikon komunikim sensibiluzues te personalizuar sipas target grupeve te ndryshme dhe kryerja e inspektimeve on-line, duke ofruar një shkëmbim informacioni ne kohe reale për te arritur një vendim-marrje në drejtim të menaxhimit të riskut sa më të unifikuar./k.s/j.p/
