KANBERRA 24 qershor /ATSH-ANSA/ – Besimi i australianëve se Kina vepron me përgjegjësi në botë është ulur pothuajse 30 pikë përqindje në dy vitet e fundit, sipas anketimit më të fundit të institutit ”Lowy” te Sidnejit.

Besimi se presidenti Xi Jinping do të bëjë gjënë e duhur për sa i përket çështjeve botërore, ra në 22%.

Sondazhi tregon se një shumicë e madhe e australianëve vlerësojnë aleancën me SHBA, ndërsa një shumicë e vogël ka besim se SHBA do të jetë përgjegjëse në skenën botërore dhe vetëm një në tre beson tek presidenti Donald Trump.

Mbështetje e fortë gjithashtu shfaqet te 19 në 20 persona, për planet e qeverisë për të kërkuar tregje të reja në mënyrë që të zvogëlojë varësinë ekonomike nga Kina.

Katër nga pesë të anketuarit mbështesin idenë e sanksionimit të zyrtarëve kinezë të lidhur me abuzimet e të drejtave të njeriut.

“Lidhjet tona me Kinën janë minuar nga një parti-shtet gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa aleati ynë i madh, SHBA, është vetizoluar nën presidencën e Donald Trump”, theksoi drejtorit ekzekutiv të institutit, Michael Fullilove.

“Në përgjithësi të dhënat tregojnë një ndjenjë përgjithësisht të zymtë, ku australianët ndjehen shumë pesimistë dhe përgjithësisht më pak të sigurt në botë”, shtoi ai.

ATSH