/ATSH – I. Vata/- Kryetari i grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla tha sot se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të votohen në Kuvend sipas procedurave parlamentare, por dhe do të diskutohen edhe çështjet e opozitës parlamentare.
Balla tha sot në Kuvend se ka një histeri ndaj opozitës parlamentare nga opozita jashtë parlamentare.
“Dua t’i bëjë thirrje opozitës jashtëparlamentare, meqë Gazment Bardhi jepte urdhër që Kuvendit dhe Ruçi të fusin në rende të ditës votimin e Kodit Zgjedhor, ky zotëria duhet të dijë që Kuvendi ka rregulla dhe një draft që depozitohet ndjek procedurën parlamentare, Konferencën e Kryetarëve planifikon vendosjen në program dhe në kalendarin e tij dhe padyshim, Kuvendi do ta shqyrtojë sipas gjitha normave parlamentare”.
Po ashtu, Balla tha se “PS e ka thënë ne jemi serioz për të respektuar marrëveshjen dhe serioz kur është nevoja për ta diskutuar së bashku me opozitë parlamentare jo vetëm me çështjen ku lidhet me kodin zgjedhor ku dakordësia politike është vendosur, por dhe për çështjet e propozuar prej jush në Kushtetutë që kanë të bëjnë me disa element të rendës të sistemit zgjedhor edhe se sistemi nuk ndryshon është po ai, por me gjithë atë janë propozimet tuaj dhe ne kemi thënë se për ne nuk është tabu, përkundrazi bashkëndajë me ju vlerësimin që ka një shumicë të caktuar që përshëndesin hapjen e listave ku qytetari jo vetëm të zgjedhin partinë, por të zgjedhë dhe individin që ai mendon”.
Kryetari i grupit demokrat në parlament, Myslym Murrizi tha se se nuk do të lejojnë votimin e draftit të reformës zgjedhore në parlament.
“Mora vesh se në 12 të natës pa u mbledh Komisioni i Reformës Zgjedhore në mënyrë të fshehtë ashtu si në 17 maj qenka dorëzuar në Kuvend një draft i njëanshëm. Nëse Ramës, Bashës, Metës apo Monikës që paratë e pista që u keni marrë shqiptarëve për 20 vjet rresht, mendoni të bëni një ligj me vota të trafikuara në Kuvend e keni gabim. Ju bëj me dije se duk do të arrini ta çoni deri në fund pazarin e 21 prillit të 2006, këtë gjellë që gatuat në këtë sallë para 12 vitesh. Unë jam anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, ju garantoj se nuk do të merrni asnjë votë këtej. Lërini lojërat e pista”, tha ai. /a.g/