Banka e Shqipërisë publikon raportin e vrojtimit për kreditimin në 3 mujorin e dytë 2021

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Bankat tregtare në vend, lehtësuan standardet e kreditimit për  bizneset.

Banka e Shqipërisë, publikoi sot raportin e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, sipas të cilit, “në tremujorin e dytë të këtij viti, bankat lehtësuan standardet për dhënie kredie biznesit për financimin e investimeve dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Standardet u lehtësuan sidomos për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha.

Raporti vëren se, lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e dytë të vitit u arrit nga toleranca më e lartë kundrejt rrezikut, kryesisht në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm. Në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset ndikuan konkurrenca në sistemin bankar, si edhe kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilancet e bankave.

Sipas bankave, kërkesa për kredi e bizneseve është në rritje, për të gjitha segmentet dhe për të gjitha qëllimet e përdorimit.

Gjithashtu, niveli i përshtatshëm i normave të interesit, si edhe përmirësimi i besimit të bizneseve u raportuan si faktorë që sollën shtimin e kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e dytë, thekson BSH-ja.