Përmes Agjencisë së Shërbimeve Publike, Bashkia e Elbasanit është duke punuar për sistemimin e rrugëve të fshatrave. Rruga Letan-Rrilë njihet për vështirësitë e saj dhe një terreni të vështirë. 500 metër kub çakull janë hedhur deri tani për ta bërë këtë rrugë të kalueshme lehtësisht. Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja dhe deputeten Evis Kushi takuan banorët e kësaj zone.

“Elbasani është një prej bashkive me nr. më të madh të kilometrave rrugë rurale. Pas këtij rikonstruksioni të parë ju dëshironi që rruga të shtrohet me asfalt, por një investim i tillë është shumë i madh. Por ne kemi rënë dakord me Kryetarin e Bashkisë që Agjencia e Shërbimeve Publike të ketë një fabrikë të prodhimit të asfaltit të vetën e në këtë mënyrë kostoja e investimit në këto zona do të jetë më e vogël” tha Balla.

Përveç sistemimit të rrugës, një punë e madhe është bërë për sistemimin e kanaleve anësore, duke qenë se janë pikërisht ujërat sipërfaqësore që e shkatërrojnë rrugën.

5 km kanale anësore janë hapur dhe pastruar për të bërë të mundur që kjo rrugë të mos shkatërrohet me shiun e parë, por të jetë e qëndrueshme dhe t’u shërbejë 200 banorëve të fshatrave Rrilë dhe Preçë.