BRUKSEL, 27 qershor /ATSH-DPA/ – Vendet e Bashkimit Europian janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për rihapjen e kufijve të jashtëm të bllokut, duke përcaktuar një sërë kriteresh që do të vazhdojnë të ndalojnë shumicën e udhëtarëve nga SHBA dhe Brazili, thanë diplomatë të BE-së.

”Kufizimet do të hiqen nga 1 korriku për rreth 12 vende, përfshirë Korenë e Jugut dhe Zelandën e Re”, thanë këta diplomatë.

Konsensusi i arritur nga diplomatët europianë dje ende duhet të konfirmohet nga kryeqytetet europiane.

Nëse miratohet, atëherë mund të bëhet vendim të hënën.

Marrëveshja vjen tre muaj pasi BE, plus Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtejni, mbyllën kufijtë e jashtëm për të gjitha udhëtimet jothelbësore për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Rregullat marrin në konsideratë faktorët epidemiologjikë, siç është numri i infeksioneve të reja dhe nëse tendenca e rasteve është e qëndrueshme ose në rënie.

Konsensusi paraprak kryesisht pason propozimin e Komisionit Europian të së enjtes.

Ai kishte rekomanduar pranimin e udhëtarëve vetëm nga vendet me shkallë infeksioni pranë ose më poshtë se 16 raste të reja COVID-19 gjatë 14 ditëve të fundit për 100 000 banorë, që është mesatarja e BE-së.

ATSH