BERLIN, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Gjermania do të kontribuojë me 42% më shumë në buxhetin vjetor të Komisionit Europian, sipas raporteve të medieve gjermane.
Qeveria federale zbuloi planet e buxhetit në përgjigje të një pyetjeje në parlament nga politikani i FDP, Gerard Ullrich, botuar nga gazeta ”Die Welt”.
Shifra është e bazuar në propozimin aktual të Komisionit Europian për Kuadrin Financiar Shumëvjeçar (MFF) për periudhën nga 2021 deri në 2027.
Sidoqoftë, propozimi duhet të negociohet nga shtetet anëtare të BE-së.
Nëse rritja e propozuar mbetet e njëjtë, deri në vitin 2021, atëherë Gjermania do të paguante mesatarisht 13 miliardë euro më shumë në buxhetin e BE-së çdo vit.
Vitet e fundit, qeveria ka transferuar mesatarisht 31 miliardë euro në Bruksel çdo vit.
Sipas raportit, shifrat e qeverisë janë indikative.
”Qeveria gjermane nuk është ende në gjendje të thotë se sa i lartë mund të jetë kontributi neto gjerman në të ardhmen, pasi propozimi i Komisionit Europian kishte mungesë të informacionit vendimtar në lidhje me këtë”, thuhet në media.
ATSH