ATSH – I. Vata/- Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka njoftuar bashkëkryetaren Rudina Hajdari si dhe dy përfaqësuesit e opozitës jo parlamentare Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili për mbledhjen e radhës ditën e enjte.
Në letrën e dërguar sot përfaqësuesve politik, Gjiknuri shprehet se “nisur nga mungesa e paparashikuar e përfaqësuesve tuaj, (opozitës jashtëparlamentare), në mbledhjen e dakordësuar të datës 18 Maj 2020 si dhe nga nevoja urgjente e adresimit të një numri çështjesh që kanë mbetur pezull për diskutim dhe miratim nga Grupi Negociues politik, propozoj thirrjen e mbledhjes së radhës ditën e enjte ose të premte, 21 ose 22 Maj, ora 10.00 në të njëjtën vend ku kemi zhvilluar dhe mbledhjet e fundit ne Pallatin e Kongreseve”.
Gjiknuri zbardh dhe agjendën e punë duke nisur me diskutimin për miratimin e kapitujve që lidhen me kuotat gjinore, periudhën zgjedhore dhe financimin e fushatës zgjedhore.
“Mendoj të vazhdojmë me temat që ishin në rendin e ditës të datës 20 Maj, pra miratimin e kapitujve që lidhen me kuotat gjinore, periudhën zgjedhore dhe financimin e fushatës zgjedhore. Grupi i eksperteve teknik përfshirë dhe përfaqësuesit tuaj, kanë përgatitur propozime të cilat kërkojnë miratimin tonë për pikat që akoma nuk është gjetur dakordësi. Puna e grupit teknik është realizuar sipas metodologjisë së rënë dakord në Grupin Negociator si dhe në të janë reflektuar edhe opinionet me shkrim te eksperteve te ODIHR dhe Këshillit të Europës”, shprehet ai.
Gjiknuri i bën ftesë opozitës për t’u rikthyer në tryezë për të përmbyllur brenda afatit Reformën Zgjedhore.
“Mendoj që nuk duhet të humbim më kohë pasi data 31 maj, një datë e propozuar nga ju si afati për përmbushjen e objektivit të Reformës Zgjedhore me dakordësi, po afron dhe mbetet shume pak kohë në dispozicion për të adresuar numrin e çështjeve të mprehta që ne kemi mbi tavolinën e negociatave. Realizimi i Reformës Zgjedhore është një kusht i rëndësishëm i integrimit europian, por mbi të gjitha një premisë shumë e rëndësishme për të gjitha palët politike me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ne vend” , shprehet ai. /a.g/