ATSH-ANSA/ – Qeveria franceze ka vendosur të japë një kontribut të rëndësishëm në blerjen e automjeteve të rënda me energji elektrike ose me hidrogjen në mënyrë që të inkurajojë zhvillimin e automjeteve me emisione zero për transportimin e mallrave ose njerëzve.

Bonusi i përfshirë në programin ”France relance” parashikon që blerja ose marrja me qira afatgjatë e një kamioni mund të mbështetet me një bonus prej 50 000 euro dhe për autobusët 30 000.

Dispozita parashikon një kohëzgjatje prej 2 vjetësh për këtë operacion për të mbështetur rinovimin e flotës së transportit me një tavan prej 100 milion eurosh.

Ky bonus i ri mund të kombinohet me super amortizimin e parashikuar për automjete të rënda që përdorin energji të pastër, për të cilat një kamion i rëndë elektrik ose me hidrogjen mund të përfitojë nga ndihma shtetërore franceze në shumën 100 000 euro.

Duhet të theksohet se, ndryshe nga shpërblimi prej 50 000 eurosh, super amortizimi është gjithashtu i zbatueshëm për automjetet që mundësohen nga metani ose biokarburantet, dhe përfshin automjete transporti me peshë 2,5 tonë e lart. /os/