DUBLIN, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përshëndeti sot rezultatet paraprake të një studimi britanik mbi një medikament për të luftuar kundër sëmundjes respiratore të COVID-19, duke e cilësuar si një zbulim revolucionar.

“Steroidi i quajtur dexamethasone është medikamenti i parë që redukton vdekshmërinë tek pacientët e prekur nga COVID-19 që kanë nevojë për oksigjen apo ventilator”, deklaroi kreu i OBSH-së,  Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm dhe përshëndes qeverinë britanike, Universitetin e Oksfordit dhe shumë spitale dhe pacientë të Britanisë së Madhe që kanë kontribuar në këtë zbulim shkencor jetësor”, deklaroi ai.

”Testet në 2 104 pacientë kanë treguar se dozat e ulëta të këtij medikamenti reduktojnë numrin e të vdekurve me një të tretën e pacientëve në ventilatorë dhe me një të pestën mes atyre që marrin oksigjen”, njoftuan studiuesit britanikë.

Studiuesit i kanë përshkruar rezultatet si një zbulim i madh që do të shpëtojë jetë.

“Një vdekje do të parandalohej nga trajtimi i rreth tetë pacientëve në ventilatorë ose rreth 25 pacientëve që kërkojnë vetëm oksigjen”, theksoi ekipi hulumtues, i cili po teston një gamë medikamentesh tek 11 500 pacientë me COVID-19 në 175 spitale britanike.

Shërbimi britanik i Shëndetësisë (NHS) filloi që nga dita e djeshme përdorimin e  dexamethasone, një medikament i familjes së steroideve, i cili, sipas një studimi, mundëson uljen e vdekshmërisë nga COVID-19, për të trajtuar sëmundjen.

“Ne po punojmë me NHS-në për të futur deksametazonin në trajtimin standard kundër COVID-19, duke nisur nga sot”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, në një video të postuar në Twitter, duke theksuar se Britania e Madhe disponon 200 000 doza, të gatshme për përdorim.

ATSH