“Sigurisht që është një grup i fortë. Por, nëse e shohim nga ana pozitive, do të jemi në qendër të vëmendjes dhe ky është një shpërblim i madh për djemtë”, tha ai.
Ndeshjet kundër Skocisë, Brazilit dhe Marokut janë një arritje jo vetëm për lojtarët, por për të gjithë popullin haitian, i cili jeton dhe merr frymë me futbollin.
Mesfushori Jean-Ricner Bellegarde kujton se kualifikimi solli gëzim në vend për disa ditë.
“Kur u kualifikuam, vendi ishte i lumtur për një ose dy ditë. Ndoshta mund ta bëjmë sërish këtë,” tha ai.
Bellegarde, që luan për “Wolverhampton Wanderers F.C” në Angli., ka një të përbashkët me trajnerin e tij: asnjëri nuk ka qenë ndonjëherë në Haiti.
“Është e pamundur sepse është shumë e rrezikshme”, tha Migne.
Ai shpjegoi se zakonisht jeton në vendet ku punon, por në Haiti kjo nuk është e mundur, pasi fluturimet ndërkombëtare drejt vendit janë ndërprerë.
Edhe stadiumi kombëtar në Port-au-Prince është mbyllur që nga shkurti i vitit 2024.
Zona përreth stadiumit, ashtu si rreth 90 për qind e kryeqytetit, kontrollohet nga bandat kriminale.
Dhuna, korrupsioni, uria dhe paqëndrueshmëria politike kanë shndërruar jetën e 12 milionë banorëve të Haitit në një sfidë të përditshme.
Megjithatë, futbolli vazhdon të ofrojë një dritë shprese.
“Sidomos për të rinjtë që rriten në Haiti në këto rrethana, futbolli u jep besim,” tha Bellegarde. Për shkak të situatës së sigurisë, ndeshjet kualifikuese si vendas u luajtën në Curaçao, shpesh para vetëm 500 tifozëve.
Edhe në Kupën e Botës pritet një situatë e ngjashme.
Për shkak të kufizimeve të hyrjes në SHBA, haitianët pa vizë nuk mund të udhëtojnë drejt vendit organizator. Për më tepër, çmimet e biletave dhe kostot e udhëtimit janë jashtë mundësive për shumicën e tyre.
Kështu, pjesa më e madhe e tifozëve do ta ndjekë paraqitjen e dytë historike të Haitit në Kupën e Botës, pas vitit 1974, vetëm nga ekranet televizive.
Krahas Bellegarde, figurat kryesore të ekipit janë mbrojtësi Johny Placide dhe sulmuesi Duckens Nazon.
Ky i fundit ka shënuar 44 gola në 78 ndeshje me kombëtaren.
Në skuadër bën pjesë edhe portieri Josue Duverger, i cili luan për klubin gjerman “Cosmos Koblenz”.
Nën drejtimin e Migne, Haiti ka fituar disiplinë, unitet dhe vetëbesim, duke grumbulluar mesatarisht 1.83 pikë për ndeshje në 24 takime.
Trajneri 53-vjeçar mbetet realist për shanset e ekipit.
“Në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka. Ne duam të shkruajmë një kapitull të ri në histori me këta lojtarë”, tha ai.
Pesëdhjetë e dy vjet më parë, Haiti humbi të tre ndeshjet e Kupës së Botës në Gjermaninë Perëndimore kundër Italisë, Polonisë dhe Argjentinës, me golaverazh 2-14.
Megjithatë, legjenda Emmanuel Sanon hyri në histori me dy golat e tij. Me 100 paraqitje dhe 47 gola, ai mbetet rekordmeni i kombëtares.
Nazon është vetëm tre gola larg këtij rekordi.
Rrugëtimi i tij drejt Kupës së Botës ishte po aq dramatik sa historia e vendit që përfaqëson. Sulmuesi i “Esteghlal F.C”. ndodhej në Iran kur nisën sulmet ajrore amerikano-izraelite kundër vendit.
“Në avion na thanë të zbrisnim sepse lufta sapo kishte filluar”, kujton Nazon.
Më vonë, sipas tij, një raketë goditi vetëm rreth 100 metra larg vendit ku ndodhej. Ai u largua me makinë dhe arriti të dalë nga Irani përmes Azerbajxhanit pas një udhëtimi 20-orësh.
Përvoja e ka bërë edhe më të vendosur.
“Nuk kemi frikë nga askush. Jemi modestë, por krenarë sepse jemi haitianë”, tha Nazon.
“Dua të shënoj një gol në Kupën e Botës. Nuk ka rëndësi kundër kujt”, shtoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.



























