Kryeministri Edi Rama deklaroi se vaksinimi antikovid është një histori suksesi sepse kemi siguruar 2.6 milionë vaksina dhe brenda majit vaksinojmë gjysmë milioni qytetarë.
Duke folur për objektivin e 500 mijë vaksinimeve brenda majit, Rama tha se kjo është një histori krenarie për Shqipërinë.
“Është histori krenarie për Shqipërinë, sepse Shqipëria sot është në gjendje të bëjë vaksinim masiv dhe sepse ne kemi garantuar që plani ynë i vaksinimit masiv të shkojë sahat. Ne sot që flasim kemi 1.2 milionë vaksina të siguruara, më saktë 2.6 milionë të siguruara, kemi 2.1 të kontraktuara, dhe jemi në kushtet që me organizimin që është bërë të vaksinojmë intensivisht dhe brenda majit, aty është thënë brenda qershorit që mos thonë pastaj nuk mbajti premtimet”, tha ai.
Asi shtoi se përballimi i pandemisë në Shqipëri, jo thjesht dhe vetëm pjesa e vaksinës që është kurorëzimi i këtij përballimi, është një histori suksesi.
“Shqipëria sot ka arritur të ketë një sistem urgjence kombëtarë që është me standarde europiane. Shqipëria kishte ambulanca që i shtynin rrugëve, nuk të vinte ambulanca kurrë. Sot ambulanca vjen. I gjithë sistemi i kompiuterizuar”, tha ai.
Në lidhje me vaksinën kineze, Rama tha se nuk ka pasur vendim për të mos e marrë. Vaksinat nuk janë në një pazar dhe mjafton të duash ti marrësh dhe shkon dhe i merr. Vaksinat kineze dhe ruse nuk kanë qenë në pazar dhe unë thashë, jo nuk do i marrim, sepse nuk funksionon kështu, nuk ka vaksina në pazar.
“Sot që flasim, se dëgjoj disa që thonë po vijnë mbetjet e Europës, nuk ka mbetje këtu se gjithë Europa dhe bota po kacafyten. Gjermania që është një vend i ekselencës është një nga vendet më të prapambetura në vaksinim për disa arsye dhe njëra nga arsyet është se nuk ka vaksina. Kinezja nuk është në pazar, kinezen e kam sjellë në Shqipëri unë. Dhe e ka sjellë ky që sheh këtu duke bërë akrobacira që janë për të shkruar një libër në vete, dhe vaksinën e kemi marrë nga Turqia”, tha ai.
Rama tha se ka ndryshuar dinamika. Angela Merkel, thotë se ne do ta marrim vaksinën ruse edhe sikur EMA mos ta miratojë.
“Ju doni të krahasoni gjithmonë me Francën dhe Gjermaninë, edhe kur flisni për fabrika thoni Franca dhe Gjermania. Tani këto krahasime nuk bëhen, nuk funksionon. Unë krahasimin e kam shumë të thjeshtë, me rajonin. Në rajon ku jemi ne ka dy vende që kanë siguruar vaksinim masiv. Një vend është që ka mjeshtërinë e lojës me 7 porta, që është Serbia. Një vend është Shqipëria, që nuk luan me 7 porta, Shqipëria ka një politikë të jashtme që është politika për të sjellë vaksina për të shpëtuar jetë”, theksoi Rama. /j.p/