“Ne duhet domosdoshmërisht që brenda muajit qershor ta kemi votuar reformën zgjedhore, sepse e kemi një kusht për të zhvilluar konferencën e parë ndërministrore Shqipëri-BE”, deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Nuk e di shqetësimin e kolegëve të opozitës lidhur me atë që kemi rënë dakord të gjithë. Në janar kemi rënë dakord, opozita parlamentare, ajo jashtëparlamentare dhe maxhoranca parlamentare të krijojmë një hapësirë të re komunikimi me opozitën jashtë parlamentit. Kemi rënë dakord me një përfaqësim të 3 palëve për të diskutuar të gjitha çështjet që ekspertët i kanë përmbyllur tashmë”, tha Balla.

Balla theksoi se “ne i ofruam opozitës jashtëparlamentare një karrige dhe përfaqësues në komisionin e posaçëm, por nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se vendimmarrja i takon Kuvendit të Shqipërisë”.

“Ne e nxisim Këshillin Politik të përmbylli sa më shpejt punën. Në 30 maj është afati përfundimtar dhe besoj se biem të gjithë dakord që zgjedhjet e 2021 në Shqipëri duhet të zhvillohen domosdoshmërisht me komisionerë jopartiakë”, tha Balla.

Ai tha se duhet të marrë fund një praktikë staliniste ku partitë votohen dhe partitë numërojnë votat.

“Nuk mund të ketë më histori që në këtë vend që negocion për të hyrë në BE partitë politike numërojnë votat. Nuk mund të ketë më kështu. Votat do t’i numërojnë njerëz që nuk kanë lidhje me politikën dhe që do të mbajnë përgjegjësitë më të ashpra penale qoftë edhe për një votë të lexuar gabim”, tha ai.

Balla theksoi se “opozita jo parlamentare ndodhet sot në pikën më të zezë dhe të vështirë”. “Është qasja ndaj përbërjes së Kolegjit Zgjedhor. Unë nuk e kuptoj se kush i këshillon e kush ua jep këto ide. Të vazhdosh të kërkosh që të jesh anëtar i Kolegjit Zgjedhor të jesh gjyqtar që nuk ke kaluar Vettingun, vetëm PD mund t’i vendosë këto kushte. Thirrja ime për kolegët deputetë është: vazhdoni punën në komisionin e posaçëm të reformës Zgjedhore dhe t’i përmbahemi afateve”, tha Balla.

Po ashtu, Balla tha se “kjo është seanca e parë e Kuvendit pas Samitit të Zagrebit”. “Edhe pse Samiti i Zagrebit nuk u zhvillua në mënyrën tradicionale për shkak të pandemisë COVID-19, unë besoj që ne si Kuvend i Shqipërisë menjëherë sapo të miratojmë dhe rezolutën lidhur me ecurinë e integrimit europian gjatë viti të shkuar, duhet të jemi krenar që Parlamenti Europian ripërsëriti qëndrimin e vet pro anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, ku merr një vlerë të shtuar edhe qëndrimi ndaj Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, ku dhe ajo është e angazhuar në një proces integrimi”, tha Balla.

Në këtë kontekst, si theksoi se “për të dyja vendet tona mesazhi i Samitit të Zagrebit merr një rëndësi, shtuar këtu dhe angazhimin e BE-së për t’i ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor rreth 3.3 miliard euro asistencë financiare për të tejkaluar pasojat që la pas pandemia COVID-19”. /j.p/