TIRANË, 28 Maj/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se çdo familje në zonat rurale të prekura nga tërmeti do të jetë në shtëpinë e vet dhe të gjitha kantieret e ndërtimit në zonat urbane do të kenë filluar brenda këtij viti.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se “ia arritëm që brenda një kohe të shkurtër të sistemojmë të gjitha familjet që banesa e tyre u dëmtua nga dy tërmetet, fillimisht në çadra e më pas në shtëpi”.
“Nuk kishte asnjë familje që vitin e ri nuk e festoi, ashtu si ju, në një shtëpi të përkohshme deri sa t’i ofrohet mundësia për shtëpinë e vet”, tha Balla.
Sipas tij, qeveria do t’i qëndrojë angazhimit që ka ndërmarrë e që ne si grup parlamentar e mbështesim për hapjen e të gjithë kantiereve të ndërtimit pas tërmetit.
“Çdo familje në zonat rurale të prekura nga tërmeti do të jetë në shtëpinë e vet brenda këtij viti dhe po brenda këtij viti të gjitha kantieret e ndërtimit në zonat urbane do të kenë filluar”, tha Balla.
Balla u ndal dhe te konferenca e donatorëve e mbajtur më 17 shkurt në mbështetje të rindërtimit.
“Në më pak se 90 ditë arritëm me mbështetjen e BE-së dhe fjalët e falënderimit nuk mjaftojnë për Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të siguronim më shumë se 1.1 miliardë euro në mbështetjen e rindërtimit”, tha Balla.
Por u shpreh ai, “qeveritë në Konferencën e Donatorëve nuk vijnë me çanta me para, por nga ai moment, ka një grup të posaçëm që përbëhet nga një përfaqësues i qeverisë, ministrisë së Financave dhe atë të Jashtme që punon për mbylljen e marrëveshjeve me shtetet për t’u bërë më pas aktive transferta e donacionit apo për t’u negociuar kredia”
Ai po ashtu theksoi se ka nisur edhe procesi i tenderimit të objekteve, i cili paraprihet nga procesi i planifikimit urban.
“Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka garantuar për të ndërtuar dy mijë shtëpi dhe do të nisë puna, sapo të mbyllet marrëveshja me qeverinë shqiptare dhe kështu do të vijojë me të gjithë shtetet e tjera”, tha Balla./a.gjonaj/j.p/