BRUKSEL, 8 qershor /ATSH-ANA/ – Gjatë ditëve në vijim BE dhe shtetet anëtare duhet të bien dakord për dy çështje, financimi i rikuperimit nga kriza e pandemisë në bazë të propozimit të Komisionit Europian dhe një marrëveshje të re për migracionin.

Nënkryetari i Komisionit Europian për promovimin e Mënyrës Europiane të Jetesës, Margaritis Schinas në një intervistë për gazetën e Qipros “Politis tis Kyriakis” iu referua parimeve kryesore të marrëveshjes së re për Migracionin dhe Azilin, që do të prezantohet javët e ardhshme nga Komisioni Europian.

“Vendet e para të pritjes nuk mund të mbajnë pafundësisht të gjithë ngarkesën e migrantëve në emër të të tjerëve. Kemi nevojë për një sistem të qëndrueshëm europian. Bisedimet do të jenë shumë të vështira, por dua të besoj se do ja dalim. Europa nuk e ka luksin për të dështuar për herë të dytë në një çështje kaq të rëndësishme”, theksoi ai.

Schinas tha se marrëveshja e re do të bazohet në tre shtylla:

– Marrëveshjet me vendet e origjinës dhe tranzitit, që do të krijojnë mundësi për qëndrimin e refugjatëve.

-Menaxhim i përbashkët dhe i fortë i kufijve të jashtëm.

-Shpërndarja e drejtë e migrantëve mes të gjithë anëtarëve të BE-së.

ATSH