BRUKSEL, 10 qershor /ATSH-ANSA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk beson se për shkak të pandemisë vendet e Aleancës do të zvogëlojnë shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë, pasi bota është bërë më e pasigurt.

“Rusia ka raketa me rreze të mesme si SSC-8 që mund të arrijë çdo objektiv në Europë dhe Kremlini vazhdon të investojë në modernizimin e armëve, përveç sulmeve në internet, siç konfirmohet edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel”, deklaroi Stoltenberg për ”Die Welt”.

“Unë shoh rënie ekonomike në vendet anëtare të NATO-s dhe që nevojiten më shumë shpenzime në sektorë të ndryshëm. Sfidat dhe siguria që ekzistonte para krizës nuk është zvogëluar gjatë pandemisë”, theksoi Stoltenberg.

“Prandaj nuk ka ndryshuar as synimi i shpenzimit të 2% të PBB-së për shtete të ndryshme”, theksoi ai.

“Arsyet se pse ne duhet të investojmë në shpenzime ushtarake kanë të bëjnë me Rusinë, që po vazhdon të armatoset, me ndryshimin e ekuilibrave si pasojë e Kinës dhe me ISIS-in që po synon të rimarrë terren brenda konflikteve në Siri dhe Irak”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

ATSH