TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i shprehu sot mirënjohjen Bullgarisë për mbështetjen në procesin e rindërtimit pas tërmetit tragjik dhe bashkëpunimin e pakursyer në luftën kundër pandemisë.

“Me angazhimin personal të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, Bullgaria i ka dhuruar Shqipërisë pajisje të ndryshme mjekësore, në vazhdën e luftës kundër pandemisë dhe zvogëlimit të mundësisë së rikthimit të COVID-19”, – tha Cakaj.

Sipas tij, sikurse të gjitha vendet e tjera në Europë, Shqipëria tashmë është në procesin e rihapjes dhe normalizimit.

Sidoqoftë, vijoi Cakaj, lehtësimi i masave nuk do të thotë edhe sjellje e shkujdesur.

“Përderisa po vijon procesi i rihapjes, ne po vazhdojmë komunikimin me gjitha vendet në rajon dhe jo vetëm, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për një mjedis sa më të sigurtë”, – tha Cakaj.

ATSH