TIRANË, 2 qershor /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Bulqizës po punon për mbrojtjen e sipërfaqeve të degraduara nga erozioni në të gjitha njësitë administrative.

Kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla  tha sot se mbrojtja e sipërfaqeve të degraduara nga erozioni, pastrimi i kullotave dhe ndërtimi i lerave të ujit ka qenë në fokus të punës disajavore.

“Gjatë kësaj periudhe, ekipet tona ndërhynë në njësinë administrative Shupenzë ku meremetuan 2 lera uji, ndërtuan 1️ të re dhe pyllëzuan 3 hektarë me gështenjë. Në njësinë administrative Gjoricë u pyllëzuan 3 hektarë sipërfaqe me pemë gështenjë, ndërsa u pastruan mbi 30 hektarë pyje. Në njësinë administrative Zerqan u ndërtua 1 lerë uji dhe u pastruan mbi 20 hektarë kullota. Në njësinë administrative Fushë Bulqizë u meremetua 1️ lerë uji”, tha ai.

“Po përpiqemi me të gjitha mundësitë të mbrojmë sipërfaqet tokësore nga erozioni të pastrojmë kullotat, të ndërtojmë sa më shumë lera uji me qëllim rritjen e kapacitetit të krerëve të imëta në zonat malore, si edhe pastrimin e pyjeve për zhvillimin e sipërfaqeve të gjelbra, rritjen e biomasës, zgjerimin dhe zhvillimin e pyjeve, komponentë këta që ndikojnë në përmirësimin e klimës në tërësi”, përfundoi kryebashkiaku Alla.

ATSH