ATSH/ -Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka dalë sot në një konferencë për shtyp në prag të dy ndeshjeve eliminatore të EURO 2021 ndaj Austrisë dhe Andorës.

Pasi ka publikuar listën e 22 futbollistëve të grumbulluar, tekniku i ekipit kombëtar Shpresa ka folur për pritshmëritë që ka për këto dy sfida dhe për problematikat që ka hasur për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndeshja e parë e kombëtares tonë U-21 do të jetë kundër Austrisë në datën 4 shtator në transfertë dhe më pas rikthehet të luajë në datën 8 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Andorrës.

“Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme si me Andorrën ashtu edhe me Austrinë. Jemi në një kohë shumë të vështirë, kohë pandemie që të gjithë lojtarët nuk janë në formën maksimale të tyre, disa janë me stërvitje, disa janë pa stërvitje; disa janë me ndeshje, disa janë pa ndeshje, por jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi marrë dhe shumë lojtarë që do të jenë edhe për sezonin tjetër, datëlindja 2000 dhe 2001”, tha Bushi në konferencën e sotme për shtyp.

/gj.mima/