ATSH/ – Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv në QSUT u shpreh sot se “numri i personave të shtruar tek ne ka qenë mbi 250 persona, prej të cilëve 170 janë shëruar. Aktualisht ne në shërbim kemi 30 persona të shtruar”.

“Është një numër më i vogël, por përsëri prej tyre kemi persona të sëmurë rëndë, janë në terapi pothuajse intensive, pra sub intensive. Pra 7 prej tyre janë në këtë lloj terapie dhe të tjerët janë në gjendje të rënduar ku janë duke marrë asistencën maksimale nga ana mjekësore”, tha ajo në takimin e Kryeministrit Edi Rama me Komitetin Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID-19.

Natyrisht, u shpreh Çomo, “këtyre personave i’u ofrohet mjekimi i duhur sipas standardeve bashkëkohore që ofrohen nga të gjitha vendet që janë duke ndjekur këta pacientë”

Çomo u shpreh se, janë duke u ofruar të gjithë barnat dhe besoj se, “kjo lloj asistence ka ofruar standarde shumë të mira tek këta persona”.

“Përsëri vëmendja mbahet e lartë, pasi vërtetë janë  30 persona, por janë 30 persona të sëmurë që duan asistencë dhe mbrapa mund të kenë dhe persona të tjerë të infektuar”, tha Çomo.

Pyetjes së Kryeministrit nëse COVID ka qenë prezent në Shqipëri përpara se ne të hynim në këtë proces, Çomo iu përgjigj se, “muaji janar është një muaj kur ne kemi raste të shtuara gripi dhe infeksioneve të tjera respiratore. Ka një problem që ne që në muajin janar kemi kërkuar për rastin e parë për shkak se kishim lidhje me Kinën dhe persona të ardhur nga Kina. Prandaj vëmendja jonë që në fund të muajit dhjetor ka qenë e ngritur duke kërkuar raste kryesisht të importuara dhe qoftë muaji janar, qoftë muaji shkurt që ne ishim me një vëmendje të jashtëzakonshme nuk kishim raste të shtuara për ti specifikuar”.

“Ne nuk mund të kishim raste të shumta atëherë kur masat ishin të pakta dhe të kemi më shumë raste tani që masat i kemi të shumta. A ka qenë pneumoni intersticiale, padyshim po. Pneumonia intersticiale ka shumë faktorë dhe ne nuk mund të themi kurrë që në janar kishim 100 raste dhe në muajin shkurt që ishte lufta më e madhe të kishim shifrën që përmenda më lart. I përgjigjem zyrtarisht kësaj pyetjeje që në shërbimin infektiv nuk mund të ketë pasur kurrsesi persona të infektuar nga COVID më parë”, tha Çomo.

/gj.mima//a.a/