ATSH/Që prej fillimit të javës, dita e sotme shënoi edhe numrin më të ulët të rasteve të reja të prekur nga COVID-19.

Sipas shifrave të publikuara edhe në platformën zyrtare “coronavirus.al”, në 24 orët e fundit, 15 pacientë të tjerë kanë fituar betejën me COVID-19, ndërsa shifra totale e të shëruarve në vendin tonë ka arritur në 470.

Kjo tendencë pozitive vazhdon prej mëse dy javësh ku numri i të shëruarve është më i lartë.

Ndërkaq ekipi i epidemiologëve po vijojnë punën në terren për gjurmimin në kohë të rasteve të dyshuara dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit, për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Nga puna e bërë, Korça ka dalë nga harta e COVID-19 ku të 19 pacientët e prekur nga ky virus rezultojnë të gjithë të shëruar dhe nuk ka asnjë rast aktiv.

Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.

Nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 3 raste janë në Krujë, 2 raste në Tiranë dhe 2 raste në Shkodër.